Vdekja e çiftit shqiptar në SHBA, gruaja vrau burrin pastaj veten

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Florida, ku çifti me origjinë shqiptare Pajtim dhe Sabrina Krasniqi, 34 dhe 27 vjeç, u gjetën të pajetë në apartamentin e tyre. Hetimet zbuluan se ata ishin vrarë me armë zjarri në banesën e përbashkët në katin e 45-të.

Policia njoftoi se Sabrina Krasniqi ka qëlluar disa herë bashkëshortin e saj dhe më pas ka vrarë veten. Motivet e krimit mbeten ende të paqarta, ndërsa rindërtimi i skenës së krimit mbështet këtë version të ngjarjeve.

Motra e viktimës, Albana Krasniqi, akuzoi kunatën për këtë akt të rëndë, duke e cilësuar si tradhti ndaj Pajtimit. Ajo ndau një status në rrjetet sociale, ku shprehu dhimbjen dhe indinjatën për humbjen e vëllait të saj.

“Mbrëmjen e Ditës së Falenderimeve nuk e kalova me bashkëshortin dhe fëmijët e mi. Nuk e kalova me miq. E kalova me oficerë policie, detektivë dhe lajme që flisnin për vrasjen mizore dhe të pakuptimtë të vëllait tim më të vogël nga gruaja e tij. Bashkëshortja e Pajtimit zgjodhi t’ia marrë jetën vëllait tim kur e qëlloi me 5 plumba në gjoks. Personi që ai e besoi më shumë, personi që ai zgjodhi për të ndarë jetën, ishte ai që ia mori atë. Ajo e tradhtoi atë, dashurinë dhe besimin e tij. Ajo e shkatërroi familjen time. Ne, motrat dhe vëllezërit e mi, nuk do të jemi më kurrë njësoj. Jam e tmerruar se mos nëna ime nuk do të rikuperohet kurrë. Të dua gjithmonë Pajtim. Prehu në paqe.”